Duke nisur nga ky muaj, të gjithë drejtuesit e mjeteve do të kenëmundësi të personalizojnë targat e tyre në këmbim të një tarife ekstra. Lajmin e ka bërë me dije Blendi Gonxhe, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhe shkruan se për të gjithë drejtuesit e mjeteve, do të mundësohen kombinime me 5 deri në 7 karaktere të cilat do të përfshijnë minimumi dy numra dhe hapësira standarte. Të ndaluara do të jenë fjalë apo kuptime të caktuara nga pikëpamja etike.
“Brenda Shkurtit 2023 nis shërbimi RISI i targave të personalizuara, kategoria me kompozim online dhe kundrejt tarifave speciale, ku do të mundësohen kombinime me 5 deri 7 karaktere, që do të përfshijnë minimumi 2 numra e anasjelltas 2 gërma, dhe hapësirat standarde, në formatet aktuale të targave të automjeteve, duke u konfirmuar së pari nga komisioni përkatës! Censura do të ndalojë fjalë apo kuptime të caktuara, nga pikëpamja etike, ndërsa kombinimet që do të konsiderohen të rralla, unike, me vlera interesi të gjerë do të ofrohen në ankandin periodik që DPSHTRR do të zhvillojë për targat edhe më speciale (kombinimet me 4 karaktere e poshtë dhe me vetëm numra apo gërma, fjalë/emra të plota, me prokate të veçanta do të jenë vetëm me ankand publik e transparent, për maksimizim vlere)! Risia nuk mbaron me kaq, ky shërbim i ri shoqërohet me të drejtën e blerësit që ta mbartë këtë targë te një mjet tjetër, më të ri, kundrejt tarifës përkatëse të transferimit.”