SPAK ka shpallur moskompetencën për kallëzimet e PS dhe ministrisë së Drejtësisë për 21 janarin dhe ia ka kaluar çështjen për hetim Prokurorisë së Tiranës.
Kallëzimet në SPAK nga ana e PS erdhën pasi publikimit në media të disa transkriptimeve të një audi-përgjimi në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 persona mbetën të vrarë në shesh nga armët e shtetit. PS kërkoi që SPAK të zbardhë 21 janarin, duke kallëzuar penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.
Në kallëzimin e bërë nga PS dhe Ministria e Drejtësisë thuhet se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm. PS thotë se s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.
Në dokument i referohen audio-përgjimit, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ia ka dhënë gazetarit, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë, siç janë të kallëzuarit e tjerë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.