Dosja për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu tashmë ka kaluar në Gjykatën e Posaçme dhe kanë nisur hetimet për veprën penale të korrupsionit.
Për Mediun ky proces është tërësisht politik, teksa shton nuk ka lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
“Proces politik dhe mediatik që nuk ka të bëjë me çështjen e Gërdecit. Kjo çështje e 2009 është përcjellë pa asnjë shtesë, po me të njëjtën dosje dhe prokurorë dhe për më tepër nga pikëpamja procedurale është një çështje e parashkruar dhe sillet për interesa që nuk kanë të bëjnë me tragjedinë. Nuk mund t’i bëj interpretim tjetër. Kjo çështje sa herë ka pasur zgjedhje është risjellë në vëmendje. Ideja për ta marrë nga hiçi këtë dosje për ta sjellë nga prokurorët e SPAK, ndërkohë që ka qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kur është kërkuar të rihapet çështja ka thënë se nuk ka bazë ligjore, sillet për interesa që nuk kanë të bëjnë me çështjen”, shprehet Mediu.
Nga ana tjetër ai tha se prokuroria në atë kohë, ndërtoi sipas tij një fabul ku thuhej se demontimet kryheshin me qëllime kriminale, gjë që sipas tij është absurde.
“Prokuroria në atë kohë ndërtoi një fabul se demontimet bëheshin për qëllime kriminale, gjë që është absurde dhe është bërë para se të isha ministër, dhe ka qenë detyrim sipas strategjisë së sigurisë kombëtare. Ishte një bazë ligjore dhe fillon me ligjin për pushtet dhe autoritete. Proceset e demontimeve kanë pasur viktima, nuk ka qenë vetëm në Gërdec. Të tilla janë proceset, me rrezikshmëri jo të vogël. Pas Gërdecit në Poliçan kemi pasur një viktimë në fabrikën e demontimit të municioneve”, pohoi ai.