Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri, pas një konflikti të ndodhur në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, sherri midis dy persona përfundoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Shtetasi Ledjon Zahaj ka qëlluar me armë gjahu ndaj 40-vjeçarit Dëfrim Pashaj, duke e lënë të plagosur.
Pashaj u dërgua menjëherë në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas ngjarjes policia bëri të mundur arrestimin e autorit. Nuk dihet ende shkaku i këtij konflikti që përfundoi në plagosjen e 40-vjeçarit, teksa blutë e qytetit të Vlorës kanë nisur hetimet.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë zjarri, një 40-vjeçar, falë reagimit në kohë nga Policia, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Gjatë kontrollit të banesës së autorit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu.
Rreth orës 16:00, në lagjen “10 Korriku”, shtetasi L. Z., 38 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin D. P., 40 vjeç, të dy banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë.
Shërbimet e Policisë, falë koordinimit në kohë me sallën e operative të DVP Vlorë, kanë bërë të mundur menjëherë kapjen dhe neutralizimin e autorit të dyshuar, shtetasit L. Z.
Ndërkohë, i plagosuri, shtetasi D. P., aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.