Prishja e ndërtimeve në bregdet, IKMT has rezistencën e parë në Ksamil (Video)

Nisma e Kryeministrit për të liruar hapësirat publike nga ndërtimet e paligjshme në zonën bregdetare, vijon aksionin e shembjes së këtyre objekteve. Në kuadër të kësaj iniciative 3 objekte janë prishur në Velipojë, ndërsa 12 të tjera janë në listë për tu shembur. Gjithashtu edhe në zonën e Ksamilit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka rrafshuar 3 objekte, ndërsa në total sipas IKMT janë 30 ndërtesat  të cilat duhet të shemben.

Ky operacion nuk mund mos të sillte kundërshtime nga qytetarët. Pronarët e një banese në Ksamil janë përplasur me forcat e IKMT-së mëngjesin e sotëm, pasi kundërshtuan shembjen e shtesave. “Mos më prek me dorë mua se jam në shtëpinë time,” i thotë banori policëve. “S’jemi njoftuar. Erdhën këta 2-3 herë. I ka çuni dokumentet,” thotë një e moshuar. Ndërkohë, në bregdet nga Dhërmi deri në Jalë, janë proceduar penalisht 3 shtetas për zënie të hapësirës publike pa leje.

Kujtojmë se ditën e sotme Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari ka ndjekur nga afër prishjen e objekteve pa leje në Velipojë. Në prononcimin për media, Lamallari tha se epoka e ndërtimeve pa leje, që e quajti “epokë e batërdisë dhe masakrës” do të marrë fund. “Të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje dhe që kanë shtuar mbi objektet ekzistuese pa leje do të ndëshkohen. Operacioni vijon, do të ketë përgjegjësi si financiare dhe ligjore për të gjithë shkelësit, por edhe për të gjithë ata që kanë lejuar që ne të kemi këtë situatë. Njëherë e mirë do të marrë fund kjo epokë e batërdisë dhe masakrës që është bërë me bregdetin shqiptar, pasuri që duhet të gëzojnë të gjithë shqiptarët”, tha Lamallari.

I pyetur se përse kanë zgjedhur momentin e hapjes së sezonit turistik për prishjen e ndërtimeve, Lamallari deklaroi se në kohën e turistëve ose jo duhet treguar se mbizotëron ligji. “Nuk mendojnë që turistët u prishet imazhi kur shohin sesi agjencitë zbatojnë ligjin. Duhet bërë në çdo kohë, këtu mbizotëron ligji. Edhe një prishje që do kryer kërkon angazhimin e shumë institucioneve”, u shpreh Lamallari.

/Priza.al/

 

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *