Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorë të degës 6, 7 dhe 16 në Tiranë, nga ku ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në protestën e 11 shkurtit. Ai u shpreh se pas dy ditësh, të gjithë do të jenë në këmbë, për tu përballur dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të hapin dyert e shtëpisë dhe të presin një ditë përpara të afërmit e tyre nga rrethet.
“Në këmbë për tu përballur dhëmbë për dhëmbë, në këmbë për t’ju përgjigjur me të gjitha mënyrat demokratikë të mosbindjes civile deri në triumfin tonë. Nuk mund të na shndërrojë ne mafia në anonimat. Ne kemi përmbysur sisteme, ne nuk falim liritë tona.
Këto orë që na ka mbetur, duhet të trokasin në çdo derë, tek çdo qytetar, tu japim fletëpalosjen. Tu bëjmë ftesë të bashkohen me ne në këtë revolucion. Këto ore janë vendimtare. Duhet të hapim dyert për të gjithë të njohurit që kemi, të cilët duan të vijnë nga rrethet një ditë para. Ditën e shtunë, Shqipëria marshon drejt Tiranës, Tirana derdhet në rrugë”, tha ndër të tjera Berisha.