Organizatat europiane: Mjedisi mediatik në Shqipëri mbetet sfidues

Një raport monitorimi i publikuar këto ditë nga disa organizata europiane të shtypit vlerëson se në Shqipëri “në përgjithësi, mjedisi për gazetari të pavarur dhe mbikëqyrëse, apo pluralizmi mediatik mbetet sfidues”. Raporti është përpiluar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), si pjesë e projektit të përbashkët të reagimit të shpejtë për lirinë e medias (MFRR) i cili monitoron dhe mbështet gazetarët, punonjësit e medias dhe platformat që janë kërcënuar.

Projekti, i financuar nga Komisioni Evropian, ofron mbështetje ligjore dhe praktike, avokim publik dhe informacion për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e medias. Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet kandidate.

Raporti jep një pasqyrë të zhvillimeve dhe ngjarjeve që kanë prekur gazetarët gjatë vitit të kaluar. Në rastin e Shqipërisë janë identifikuar 17 raste shkeljesh. “Dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve ishin kërcënimet më të rënda për lirinë e shtypit në Shqipëri në vitin 2022”, vë në dukje raporti sipas të cilit, “veçanërisht shqetësues ishte numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, i cili lidhej me 7 nga 17 shkeljet (41%) të regjistruara”. Në raport sillen shembujt e “gazetarit Simon Shkreli, i cili u pengua me forcë nga policia teksa po filmonte një operacion të forcave speciale në Shkodër. Ndërsa në Tiranë, fotoreporteri Gent Shkullaku u përball me policinë, e cila i konfiskoi aparatin fotografik dhe e urdhëroi të fshinte fotografitë e huliganëve të futbollit që përlesheshin me policinë, duke pretenduar se fotot e tij po dëmtonin imazhin e vendit”. Raporti organizatave europiane përmend dhe rastet e gazetarëve Adriatik Doçi apo një gazetari tjetër të cilët kanë qenë viktimë të akteve të dhunës për shkak të detyrës.

Në raport vihet në dukje me shqetësim “retorika ndaj gazetarëve e kryeministrit të vendit, Edi Rama, përfshirë thirrjet për dërgimin në të ashtuquajturin “riedukim”, të gazetarëve që shtruan pyetje për çështje kritike dhe ndalimin e tyre për të marrë jesë në konferencat e ardhshme të shtypit”, duke sjellë si shembull rastin e gazetarit Klevin Muka të CNN A2, dhe të Ambrioza Metës, i Syri TV./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *