Shtetasit me inicialet E. K. dhe G. K., H. V., nga 30 vjeç, janë arrestuar pasi akuzohen se kanë marrë peng, dhunuar e kërcënuar gazetarët e emisionit ‘Fiks Fare’. Ngjarja e rëndë është raportuar ditën e djeshme nga vetë emisioni, por ka ndodhur gjatë kohës që janë bërë xhirimet. Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se tre të shpallurit në kërkim kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë. Dy persona të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa dy punonjësit e IKMT-së pranë drejtorisë Durrës janë vënë nën hetim për shpërdorim detyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës:
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas që gërryenin basenin e lumit Zezë dhe merrnin në kundërshtim me ligjin, inerte nga ky lum në fshatin Verjon, Fushë Krujë, si dhe se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u konfliktuan me grupin e xhirimit të këtij emisioni dhe i kërcënuan me armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve hetimore, të kryera menjëherë sapo morën njoftim për ngjarjen, shpallën në kërkim shtetasit: E. K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë. Po në kuadër të veprimeve të para hetimore të kryera për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasit: A. L. (drejtuesi i kamionit) dhe E. Gj. (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, këtyre shtetasve iu sekuestruan mjetet e tonazhit të rëndë që përdornin në basen. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisën hetimet për shtetasit E. B. dhe F. Sh. (punonjës të IKMT-së, Drejtoria Rajonale Durrës), pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia e Durrësit mbetet e gatshme për të trajtuar me profesionalizëm, paanshmëri dhe në kohë, çdo denoncim që vjen nga gazetarët apo qytetarët, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe luftën ndaj paligjshmërive në çfarëdo formë të shfaqjes së tyre.
Gazetarët kanë faktuar gërryerjen e paligjshme të lumit dhe marrjen e materialeve inerte, por janë përballur aty me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit,të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.
Por ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte drejt tyre shkuan dy personat e parë të cilët i urdhëruan të ikin nga aty. Pas tyre vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.