Bosi i një prej grupeve më të rrezikshme mafioze në Itali ‘Cosa Nostra’, Matteo Messina Denaro ka udhëtuar shpesh drejt Shqipërisë ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës dhe grupe kriminale.
Mediat italiane zbulojnë disa prej udhëtimeve që Denaro ka zhvilluar në shumë vende gjatë kohës që ka qenë në kërkim nga autoritetet.
“Supermafiozi” ka udhëtuar në Spanjë, Tunizi, Shqipëri e Mal të Zi me emërues të përbashkët tregtinë e drogës. Sipas “IlFattoQuotidano”, Denaro ka dërguar në Shqipëri bashkëshortin e mbesës së tij, Luca Bellomo për të krijuar kontakte. Më pas, vijon artikulli, Denaro ka udhëtuar personalisht për të krijuar marrëdhënie me përfaqësues të institucioneve dhe sipërmarrës shqiptarë.
Pas arrestimit të Denaros muajin e kaluar, autoritetet po përpiqen të rindërtojnë jetën e mafiozit italian përgjatë 30 viteve që ishte në arrati. Lëvizja e Denaros në shtete të ndryshme duket se u ndërpre për shkak të sëmundjes së tij, ku duhej të kurohej.