Shtëpia prodhuese koreane ka prezantuar ditët e fundit modelin e saj më të avancuar, i quajtur S 23, që në versionin e saj më të te shtrenjtë, i njohur si S 23 Ultra, mund të kushtojë pothuajse 2 mijë dollarë, pa karikuesin e tij.
Samsung S 23 mbrohet nga një xham i avancuar Gorilla Glass Victus 2 dhe nga profili në alumin. Ky nuk është modeli i duhur për ta futur në xhep me trashësinë rreth 9 milimetra dhe peshën që kalon 230 gramë. Por shpejtësia është karakteristika kryesore këtij modeli.
Memoria që fillon nga 256 GB dhe përfundon me atë 1 terabyte, siguron më së miri funksionimin e tij. Veçanërisht shkarkimi i aplikacioneve do të ndodhë tashmë në pak sekonda.
Padyshim, kamera është nga aksesorët më të avancuar të modelit S-23, që në versionin Ultra paraqitet me një të tillë me 200 megapiksel nga të cilat dalin fotografi të qarta dhe me fokus mbresëlënës, ndërkohë që performanca e kamerës ballore është përmirësuar. Kompania koreane me modelin e fundit ka menduar edhe për “gjahtarët e yjeve”, që ende përdornin aparate fotografike të mirëfillta. Tashmë në modalitetin Pro ekziston mundësia e fotografive ne formatin RAW dhe në modalitetin enkas për yjet, me një detektor të tyre, për mos të humbur orientimin.