Policia e Vlorës ka zhvilluar një operacion anti-kanabis në këtë qytet dhe ka vënë në pranga 6 persona, ndërsa dy janë shpallur në kërkim, pasi kishin përshtatur vilat për kultivimin e kanabisit.
Bëhet me dije se operacioni i koduar “Indoors”, është realizuar nga drejtori i Policisë së Vlorës, Ermal Muça i cili prej disa javësh kishte nisur hetimet për goditjen e e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Në një deklaratë për mediat, uniformat blu raportojnë se në pranga kanë rënë: Dritan Koçiraj, Niko Dhima, Florjan Çaushaj dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Përparim Koçiraj.
Ndërsa në lagjen “10 Korriku”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ledjon Zahaj, Edmond Begaj dhe Gentjan Metushi si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Lorenc Xhaferri.
Mësohet se si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Ermal Muça mësohet të ketë bërë një punë galoponte në operacione shumë të rëndësishme.
Së fundmi vlen të përmendim, megaoperacionin “Knockdown” ku Muça prej një periudhe 5 mujore kishte nisur hetimet për goditjen e një grupi kriminal me qëllim zbërthimin e çdo qelize të këtij aktiviteti, prej kohës kur ai mori drejtimin e hetimit të krimeve për qarkun Korçë. Mësohet se Muça është dërguar posaçërisht nga kreu i Policisë në Korçë pas operacionit të rëndësishëm në Elbasan, ku dhe mbante postin si zëvendës drejtor i qarkut.
Ndër të tjera Muça ka realizuar me sukses edhe shumë goditje të rëndësishme në qarqet e vendit, si dhe ka mbajtur postin si drejtor i Policisë së Lezhës.
Deklarata e policisë:
Përshëndetje,
Jam sot këtu, me zv/drejtorin për Hetimin e Krimeve, të Policisë së qarkut, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit policor të koduar “Indoors”.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar nga Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në terren të hapur dhe në ambiente të mbyllura, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, prej disa javësh, janë intensifikuar kontrollet në territorin e qarkut Vlorë.
Bazuar në informacionet e siguruara se në disa ambiente, në lagjen “10 Korriku”, në Vlorë, dhe në fshatin Kropishtë, në Selenicë, kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave, mëngjesin e datës 09.02.2023, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, kanë organizuar dhe finalizuar megaoperacionin policor të koduar “Indoors”.
Operacioni nisi në orën 11:00 të datës 09.02.2023, në të njëtën kohë, në lagjen “10 Korriku” dhe në fshatin Kropishtë, në Selenicë.
Në momentin që shërbimet operacionale kanë shkuar pranë vilës së shtetetasit L. Xh., agjentët operacionalë kanë konstatuar se në këtë vilë nuk kishte persona brenda. Për këtë arsye, nisur nga dyshimet se brenda kësaj vile kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave, ky ambient është mbajtur në vëzhgim dhe nuk është ndërhyrë për momentin.
Operacioni ka vijuar në fshatin Kropishtë, ku gjatë kontrollit në një ambient në pronësi të shtetasit D. K., u gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 45 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi P. K., 55 vjeç.
Po në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasve N. Dh., 39 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE Vlorë dhe F. Ç., 34 vjeç, me detyrë përgjegjës grupi i elektricistëve të OSHEE Vlorë.
Ndërkohë, rreth orës 16:00, agjentët operacionalë që mbanin nën vëzhgim vilën në pronësi të shtetasit L. Xh., kanë konstatuar një shtetas që ka hyrë me vrap në vilë, i cili po ndiqej nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të “Shqiponjave”, pasi dyshohej se kishte tentuar të vriste një shtetas, me armë zjarri, rreth orës 15:45, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë.
Në këto kushte është ndërhyrë nga të gjitha shërbimet operacionale dhe ato të rendit, në vilën e shtetasit L. Xh., është bërë kapja në oborrin e kësaj vile dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit që hyri me vrap në vilë, konkretisht shtetasit L. Z., 38 vjeç, autor i tentativës së vrasjes me armë zjarri të shtetasit D. P.
Shërbimet operacionale, bazuar në planin operacional dhe informacionet e siguruara, kanë hapur me forcë vilën e shtetasit L. Xh., ku kanë konstatuar se kati i parë dhe kati i tretë i saj ishin përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.
Nga kontrolli në të dyja katet e vilës, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të kësaj vile, shtetasit L. Xh., 42 vjeç.
Gjithashtu, u ndaluan shtetasit E. B., 26 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE Vlorë dhe G. M., 44 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi L. Z., i arrestuar në oborrin e vilës, i dyshuar si autor i tentativës së vrasjes së shtetasit D. P., është kunati i shtetasit L. Xh., pronarit të vilës në të cilën ishin përshtatur dy kate për kultvimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë veprimet e thelluara në kuadër të këtij operacioni, me qëllim sekuestrimin e çdo pasurie të përfituar nga këta shtetas si rezultat i veprimtarive kriminale në fushat e kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.
Theksoj se 2 ditë më parë, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë finalizuan një tjetër operacion policor në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale me anë të minave me telekomandë. Falë një pune të mirëfiltë profesionale dhe hetimore të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një hetimi proaktiv, u bë e mundur që të ndërhyhej në kohë, duke sekuestruar 3 mina me telekomandë që do të përdoreshin nga grupet kriminale, në Vlorë. Policia vuri në pranga 2 shtetasit që tentuan të shitnin këto mina.
Gjithashtu, dua të theksoj faktin se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në këtë qark, po punojnë intensivisht për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura më parë, goditjen e veprimtarive të personave dhe grupeve kriminale me veprimtari në fushat e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, në fushën e krimeve kundër personit, pronës, fushën e kontrabandës, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.
Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, ftoj qytetarët e qarkut Vlorë, që të mbështetin edhe më shumë strukturat e Policisë, në mënyrë që bashkërisht të parandalojmë dhe të luftojmë krimin, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë.