Kryetari i PD-së Sali Berisha ka lëshuar një lumë me akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama sa i takon çështjes McGonigal.
Në konferencën e përjavshme për mediat, Berisha tha se McGonigal dhe ministrat e Ramës kanë bërë orgjira në lokalet e natës në Tiranë dhe për këtë ka prova me fotografi.
“Edi Rama ka urdhëruar shpalljen e tij ‘Qytetar Nderi’ në Tropojë për t’i shpërblyer angazhimin që ai ka bërë kundër meje. Ky është një akt tjetër primitiv i tij. Të shpallësh ‘Qytetar Nderi’ në Tropojë, një trevë atdhetare, një agjent rus, apo një tradhtar të vendit të vet, tregon një akt papërgjegjshmërie të plotë. Së treti, McGonigal, ministra, kanë bërë orgjira, absolutisht po, në klube nate dhe në lokale gjysëm errësire të Tiranës. Janë të fotografuar. Fatmirësisht janë me foto. A publikohen fotot apo jo, por kjo është e sigurtë, kjo që them. Ka një hetim kombëtar, ndërkombëtar, ka një hetim dhe hetimi ka rregullat e veta. Ne do ta japim kontributin tonë, pa asnjë diskutim në këtë hetim. Prandaj Edi Rama mendon se do të bllokojë komisionin. Jo, komisioni do të hetojë çdo akt, të gjitha takimet e McGonigal me Edi Ramën, Belinda Ballukun, çdo takim të tij. Ai është sjellë këtu si një njeri i cili përpiqej të imponohej me detyrën e tij, ka rekrutuar mes tyre apo jo për llogari të rusëve, këtë e thonë të tjerë. Unë nuk mund ta them këtë. Ju e dini se atje ka një hetim, një pjesë të mbidheshme e një pjesë të nëndheshme. Por tani rrethanat tregojnë, provojnë qartë se vetëm kanë qenë budallenjtë rusë, ose Deripaska nuk ka qenë një strofull zbulimi rus, se ndryshe ky nuk kishte si të mos jetë, dhe nuk ka si të mos jetë një agjent i atij vendi. Këto rrethana janë të reja”, tha Berisha.