Dy nga lojtarët e Juventusit, Angel di Maria dhe Leandro Paredes, sfiduan njëri-tjetrin në kanalin “YouTube” të ekipit me një pyetësor 7- sekondësh, lidhur me njohuritë mbi klubin bardhezi.
Në fund, garën e fitoi Paredes, i cili ofroi 7 përgjigje të sakta, ndërsa Di Maria vetëm 3, ndonëse gjithçka u shijua nga të dy futbollistët dhe nga shikuesit. Di Maria nuk arriti të emërtonte 5 lojtarë të Juventusit që kanë fituar Kupën e Botës. Në 7 sekonda, ai përmendi vetëm Bufonin, ndërsa pas gongut pyeti Paredesin:
“Po unë dhe ti a vlenim si përgjigje”. Dhe kaq mjaftoi që të nisnin të qeshurat. Sërish Paredes ngacmoi Di Marian pasi i kërkoi 5 argjentinas që kanë luajtur për “Zonjën e Vjetër”. “Higuain, Dybala, Di Maria, Paredes dhe…”. Pasi gongu ra sërish mesfushori e ngacmon: “Harrove Tevezin”.Teksa kur i kërkohen të përmendë 5 qytete italiane: “Torino, Roma, Palermo dhe…”. Heshtje… Paredes nuk mund të mbajë të qeshurën dhe Di Maria shton: “Shtatë sekonda janë shumë pak për mua”.
Pasi radha e intervistimit ndryshoi, Paredes zbuloi edhe disa detaje interesante mbi veten, si për shembull se, pjata e preferuar janë patatet e skuqura. Ndërkohë, Paredes habiti shokun e tij duke gjetur se filmi i preferuar i Di Marias është “La casa de papel”. “Ke studiuar mirë”, iu drejtua Di Maria Paredesit, duke pranuar disfatën në garën e “7-sekondëshit”