Aplikacioni “Aktiv1ist” ka shkaktuar jo pak polemika pas publikimit edhe në media. Opozita akuzon Partinë Socialiste, se me anë të tij po përdor punonjësit e administratës për qëllime fushate. Deputeti Erion Braçe është shprehur në një intervistë për televizionin A2CNN se nuk është pjesë e këtij aplikacioni dhe se nuk e ka idenë se për çfarë shërben. Ai theksoi se për të promovuar punën e tij ka rrjetet e tij sociale nuk ka nevojë që t’ia shpërndajë dikush.
“Nuk kam nevojë as t’i bëj like Edi Ramës, as të më bëjë ai mua. Nuk dua like me zor. Nuk bëjnë punë. Nuk kam nevojë të më thotë dikush, nëse diçka është e mirë. E bëj vetë. Nuk është e nevojshme të bëhet propagandë. Njerëzit e kuptojnë vetë. Ne kemi organizata partie. Kemi simpatizantë brenda Partisë. Rrethi i simpatizantëve del nga masa e njerëzve që votojnë. Dhe ne bëjmë një raport. Dhe, këtë e kanë bërë të gjithë, jo vetëm PS. E ka bërë LSI-ja, nga mëngjesi deri në darkë dhe me të punësuar. Jo me anëtarë dhe simpatizantë. E ka bërë edhe PD, e ka bërë edhe me policë, edhe me SHIK, dhe unë e kam vuajtur dhe vetë” – tha Braçe.
Ai shpjegoi edhe sistemin e patronazhizmit duke u shprehur: “Ndërtohet një punë. Në x qendër votimi sa familje të mëdha kemi? 20. Kush është njohja jonë në këtë familje? Erioni. Erioni merr përsipër të flasë më këtë familje. Thelbi i asaj bisede me familjen hidhet në letër”