Pas 108 orëve e mbetur poshtë rrënojave, një grua 62-vjeçare është shpëtuar në Turqi. Si rezultat i përpjekjeve të shumta teksa ekipet e shpëtimit ofruan mbështetje nga Koreja Jugore, Selma Guneş u nxor e gjallë nga gërmadhat.
Me të nxjerrë prej andej ajo pyeti për fatin e bashkëshortit të saj: “A është burri im gjallë? Nëse nuk është, jeta për mua s’ka kuptim”, dëgjohet duke thënë e moshuara.
62-vjeçarja u dërgua menjëherë në spital dhe gjendja e saj raportohet e stabilizuar. Turqia dhe Siria pas dy tërmeteve të fuqishme kanë regjistruar së bashku rreth 24 mijë viktima. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë gërmimet poshtë rrënojave me shpresën për të nxjerrë gjallë qytetarët e mbetur poshtë ndërtesave të shembura.