Aktorja Adriana Tolka ka recituar para protestuesve At’ Gjergj Fishtën.
“Çka ta baka njeriu jot, nuk ta baka vetë anmiku!”, e ka nisur fjalimin Toska.
Me tej aktorja është ndalur tek vendimi i Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e cila ka pranuar të kalojë për gjykim çështjen e mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar Ligjin Special, si dhe ka rrëzuar vendimin e Qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.
Deklarata e plotë:
Dua t’ju përcjell disa vargje të poetit dhe atdhetarit të madh At Gjergj Fishta:
O Perëndi, a ndjeve? Tradhtarët na lanë pa Atdhe,
E ti rri e gjuen me rr’fe lisat n’për male kot…
Një tradhti, një namë, një dhunë për t’u qa me gjak e lot!
Çka ta baka njeriu jot, nuk ta baka vetë anmiku!
Është e rëndë, që sot, pas më shumë se 30 vite të rënies së diktaturës komuniste, cënimi i vazhdueshëm i demokracisë rrezikon rikthimin e një shteti monist pa opozitë, pa gjykata që të na mbrojnë, pa hierarki vlerash, një shtet që na vjedh. Lirinë, të drejtat, mirëqenien nuk duhet t’i presim si dhuratë, as të importuara. As nuk do të rrimë të rrahim gjoksin për bëmat e gjyshërve dhe të etërve. Ata e kryen luftën e tyre dhe u nderuan. Ne do bëjmë luftën tonë, pa u intimiduar se do të na etiketojnë si partiakë apo berishistë. Ne luftojmë për dinjitetin, për liritë dhe të drejtat tona.
Qëndresa për kauzën e Teatrit Kombëtar sapo hyri në vitin e gjashtë të saj me një zhvillim shumë pozitiv. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar të kalojë për gjykim çështjen e mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar Ligjin Special, si dhe ka rrëzuar vendimin e Qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.
Është e dukshme, që një shtet, i cili nuk zbaton ligjet e veta, nuk ka si të jetë për qytetarët. Ky është fakt. Të gjithë qytetarët duhet të zgjohen, të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë. Le t’i japim krahë kësaj mundësie për të shpëtuar veten, familjet tona dhe kombin. Sot në këtë shesh jemi shumë. Nesër do të jemi edhe më shumë.