Deputetët e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Albana Vokshi shkuan në komisariatin nr. 1 në Tiranë ku u shoqëruan disa prej protestuesve nga policia sot pasdite.
Në një prononcim për mediat, Bylykbashi tha se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe se askush nuk mund ta ndalojë.
“Kjo protesta e sotme ishte mesazh fillimi. Ditën e hënë jemi atje. Askush nuk mund të ndalojë protestuesit shqiptarë të kërkojnë të drejtën e tyre themelore, që me votë të rrëzojnë një qeveri që i vjedh. Protestuesit kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm. Rama s’mund të përdorë forcën policore apo drejtësinë për të trembur shqiptarët. Ky është mesazh i qartë.
Të gjithë qytetarët që mund të jenë shoqëruar do të lirohen. Do jenë ndalime të paligjshme siç janë provuar edhe më parë në gjykatë. Ka qenë një protestë për të drejtën e tyre themelore. Kjo është ligjshmëria. Jam i sigurt që Rama dhe kushdo që vjen pas tij e ka të qartë mesazhin. Deputetët janë të gatshëm që t’i qëndrojnë pranë çdo qytetari apo demokrati që protestoi, për t’i nxjerrë ata të lirë.
Të hënën, siç u dha e qartë, ne do jemi atje për të protestuar. Rama po përpiqet të zhbëjë dhe Parlamentin. Duke u përpjekur të çajë grupin parlamentar të PD-së. Ne do jemi atje për të treguar atje se parlamenti nuk funksionon si noter të Edi Ramës. Këto veprime tona do shkojnë vetëm në rritje. Ose Rama dorëzohet përpara të drejtës së qytetarëve, ose shqiptarët do t’i përgjigjen me të gjitha mjetet demokratike”, deklaroi Bylykbashi.