Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se mercenarët e grupit rus, Wagner, po punojnë me paramilitarët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake pa stema në Kosovë. Në një intervistë për The Telegraph, Osmani tha se ky operacion ka për synim të krijojë terrenin për një sulm të mundshëm hibrid të Serbisë për të marrë nën kontroll territor të Kosovës.
“Ata po sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj, pa e quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani, duke mos ofruar dëshmi për këto pretendime.
Logoja nga qendra e teknologjisë ushtarake e grupit Wagner, që po merr pjesë në agresionin kundër Ukrainës, në Shën Petersburg të Rusisë. Sipas saj, objektivi i Serbisë është “të përgatisë situatën për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni tradicional ushtarak, por përmes një lloj sulmi hibrid”.
Vitin e kaluar, tensionet u rritën midis Kosovës dhe Serbisë për shkak të targave të makinave, duke nxitur disa serbë lokalë që për 20 ditë të bllokonin rrugët e veriut të banuar me shumicë serbe.
Situata u përkeqësua në dhjetorin e kaluar, kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që të lejonte dërgimin e trupave serbe brenda Kosovës.
“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini më 2014, është krejtësisht e njëjta. Fillimisht, ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, mandej ai krijoi operacione të rreme dhe më pas ai dërgoi këto grupe paramilitare. Ka të dhëna të qarta se grupet paramilitare serbe po planifikojnë dhe organizojnë këtë [së bashku me Wagner-in]. Sa ka qenë numri i tyre që ishin në kufi apo brenda [territorit të Kosovës], është diçka që ende po hetohet”, tha presidentja Osmani.
Osmani tha se pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë – përmes misionit të KFOR-it – nuk do të thotë se Serbia nuk do të tentojë të veprojë sikurse Rusia, që nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022./REL