Arrestimi i dy protestuesve/ Policia jep njoftimin zyrtar; ja për çfarë akuzohen

Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas arrestimit të dy qytetarëve që po protestonin gjatë mesditës së sotme, në sheshin përpara kryeministrisë. Shtetasit me inicialet G. A., dhe E. Gj., përkatësisht 30 vjeç dhe 45 vjeç janë shoqëruar pasi hodhën mjete piroteknike në drejtim të godinës së kryeministrisë.

Sipas njoftimit të policisë ata akuzohen për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Njoftimi:

Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë vijuar monitorimet në terren, për mbarëvajtjen e tubimit dhe për evidentimin e çdo paligjshmërie.

Gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.

Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *