Nis tkurrja e punësimeve në call center

Sektori call center është në vështirësi për rekrutime të reja, ndonëse shënon zgjerim kontratash për ofrimin e shërbimit ndaj palëve të treta. Operatorët pohojnë se arsyeja kryesore e mungesës së fuqisë punëtore është largimi i të rinjve në emigracion. Nga të dhënat e Tatimeve, punësimet në sektorin e call center, në shtator 2022 kanë rënë 18% krahasuar me fundin e 2021. Paralajmërohet falimentimi i të vegjëlve, ndërsa edhe kompani të mëdha ekzistuese janë larguar.

Numri i të punësuarve në kompanitë call center, dikur oaz për punësimin e të rinjve, ka nisur tkurrjen. Sipas të dhënave të DPT, deri në shtator 2022, në ndërmarrjet call center janë të punësuar 12,404 punonjës, me një rënie prej 18% në krahasim me fundin e vitit 2021.

Shkak i rënies së numrit të të punësuarve është emigrimi i të rinjve dhe mungesa e atyre që flasin gjuhën italiane. Kompanitë e sektorit pohojnë se problematika e mungesës së fuqisë punëtore që nisi pas 2017-s, tashmë këtë vit është kthyer në shqetësimin kryesor të tyre.

Për të rikuperuar humbjet nga mungesa e të rinjve që janë njohës të gjuhës italiane, disa prej kompanive call center, kryesisht të vegjlit, po hapin filiale në Kosovë me punonjës së gjermanishtes.

Në Shqipëri, ky treg është në fazë zgjerimi, por bizneset nuk presin lulëzim të tij, pasi vihet re që prioritet kryesor i atyre të rinjve që flasin gjermanisht është të emigrojnë në Gjermani.

Në anën tjetër, pagat e larta që ofrojnë platformat e palicencuara forex, po shtojnë mungesën e punonjësve në call center.

Aktorët e tregut parashikojnë se në këtë situatë rrezikohet mbyllja e operatorëve të vegjël. Në fillim të këtij viti, një nga kompanitë më të mëdha të sektorit, “Albacall”, mbylli filialin call center në Shqipëri, për shkak të mosmarrëveshjeve për kontratat në tregjet e huaja për të cilat ofrohet shërbimi.

Sektori call center mori zhvillim pas vitit 2010, pasi kompanitë italiane e transferuan aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e gjuhës italiane nga të rinjtë dhe më pas hynë dhe shoqëri nga vende të tjera të Europës (në gjuhën gjermane dhe angleze).

Por, nga viti 2018, të dhënat e tatimeve tregojnë se nisi tendenca rënëse e shoqërive që ushtrojnë aktivitet në  këtë sektor. Në shtator 2022 kishte 541 subjekte në këtë sektor me një rënie prej 33% në krahasim me fundin e 2017-s, sipas të dhënave nga tatimet.

 

Sigurimi i burimeve njerëzore, por edhe i atyre të kualifikuar, janë vështirësitë më të mëdha që po përballet sektori. Drejtues të kompanive call center pohojnë njëzëri se arsye e mosgjetjes së fuqisë punëtore është emigrimi i lartë i të rinjve.

Problemet me uljen e njohurive të gjuhës italiane

Edhe pse kompanitë kanë rritur kostot me ofrimin falas të kurseve të kualifikimit të gjuhës italiane dhe marketingut për gjetjen e punonjësve, oferta është shumë e lartë në raport me kërkesën e tkurrur, për shkak të emigrimit të të rinjve. Sot të rinjtë nuk po mësojnë më italisht, duke humbur avantazhin kryesor që ka Shqipëria.

Nëse gjenerata e viteve ‘80–‘90 mësuan në mënyrë autodidakte gjuhën italiane, kryesisht përmes ndjekjes së kanaleve televizive italiane, kjo nuk po ndodh te të rinjtë e sotëm.

Kompanitë e vogla të call center janë ato që kanë pësuar më tepër tkurrje të numrit të të punësuarve. Të mëdhenjtë, pas rënies së numrit të të punësuarve në pandemi, kanë nisur rikuperimin me rekrutimet.

Aktorë të tregut pohojnë se problemi i mprehtë me fuqinë punëtore pritet të sjellë mbyllje të kompanive të vogla, duke mbijetuar më të mëdhenjtë. Efektet e para kanë nisur të ndihen që këtë vit. Për kontratat e reja, kompanitë mëmë në Itali kanë nisur orët shtesë vetëm për të punësuarit atje, pasi në Shqipëri, fuqia punëtore është tkurrur.

Zëvendësimi i punëtorëve me të huaj, i pamundur për call center

Ndryshe nga sa po ndodh me sektorë të tjerë të ekonomisë, që për shkak të rënies së punëtorisë po rekrutojnë nga vendet aziatike dhe rajoni, për sektorin call center, zëvendësimi i fuqisë punëtore me të huaj mund të shihet si zgjidhje, por me kontribut të vogël në përmirësimin e situatës, pasi ndërmarrjet punojnë masivisht me italishtfolës./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *