“Mbretëria e Bashkuar po përjeton një ‘valë të tretë’ migrimi nga Shqipëria, me kriminelë të vendosur që rekrutojnë ‘ushtarë’ nga atdheu i tyre”, ka paralajmëruar një pedagog.
“Bandat e krimit shqiptar të gjeneratës së dytë me bazë në Britaninë e Madhe po kthehen në vendin e prindërve të tyre për të joshur në krim burrat e dëshpëruar”, u tha disa ligjvënësve Andi Hoxhaj, një pedagog i drejtësisë në University College London.
Në një dëshmi me shkrim përpara një hetimi të Komitetit Special të Punëve të Brendshme për migracionin dhe azilin, ai shprehet se:
“Rrjetet e krimit të organizuar me origjinë shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer në zonat rurale të Shqipërisë, ku mbizotëron varfëria ekstreme dhe/ose papunësia e lartë për të tërhequr të rinjtë. Ata po ofrojnë një udhëtim falas në Britaninë e Madhe në këmbim të punësimit për rritjen e kanabisit ose aktivitete të tjera kriminale. Në vitin 2022 pati një fushatë të suksesshme rekrutimi përmes mediave sociale e kombinuar me çmime të ulëta të ofruara nga anijet e vogla të kalimit të Kanalit”- tha profesori i universitetit të drejtësisë.
Hoxhaj tha se ishte vala më e madhe e emigracionit shqiptar që nga viti 1991, pas rënies së komunizmit dhe e dyta në 1997, pasi shumë falimentuan dhe shpërtheu lufta civile. Ai tha gjithashtu se shumë shqiptarë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar sepse e shohin Britaninë e Madhe si më pak raciste se vendet e tjera evropiane.
Sipas tij, në Britaninë e Madhe mund të ketë më shumë se 50 mijë shqiptarë.
Megjithatë, larg stilit të jetesës së premtuar, shumë të rinj shqiptarë po trafikohen në skllavëri moderne dhe po detyrohen të paguajnë tarifa udhëtimi në fermat e kanabisit. Shumë shqiptarë të arrestuar u mbajtën në qendrat e paraburgimit të emigracionit. Rreth 200 fëmijë emigrantë, kryesisht shqiptarë, janë zhdukur nga hotelet e financuara. Ministria e Brendshme ka ngritur alarmin se të miturit mund të jenë rrëmbyer nga trafikantët e drogës.