Në një intervistë dhënë britanikes “The Telegraph”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bëri një deklaratë të fortë kur tha se Beogradi po ndihmohet nga grupi Wagner për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.
“Mercenarët e grupit rus Wagner po ndihmojnë Serbinë që të përgatisë një sulm të mundshëm ndaj kombit tonë. Operacioni sekret u krijua për të hedhur bazat për një sulm të mundshëm nga Serbia, për të rrëmbyer territorin e Kosovës. Ata po sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj, pa e quajtur operacion ushtarak”- shprehet Vjosa Osmani.
Sipas kryetares së shtetit, objektivi i Serbisë është që të përgatisë situatën për një aneksim të mundshëm jo përmes një operacioni tradicional ushtarak, por përmes një lloj sulmi hibrid. Po sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Beogradi po vazhdon të rrisë tensionet në rajon në bashkëpunim me Wagner-in, që kohët e fundit ka nisur fushatën për rekrutimin e serbëve për luftën ruse në Ukrainë e që vijon prej rreth një viti.
“Dy apo tre ditë para pushtimit të Ukrainës, po dëgjoja kaq shumë liderë botërorë që thonin: “Putin nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë këtë”. Ne dëgjojmë tani për presidentin Vuçiç se “ai nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë atë”. Vetëm për shkak se KFOR-i është në Kosovë, nuk do të thotë se Vuçiç nuk do ta tentonte kurrë. Nuk po them se do ta bëjë, por ne gjithmonë duhet të jemi gati për të parandaluar një skenar të tillë”,- vijoi Presidentja e Republikës së Kosovës.
Nga ana e saj, Serbia ka mohuar që mercenarët e grupit Wagner të kenë pasur ndonjë rol në përplasjen me Kosovën. Kosova po ashtu ka akuzuar Rusinë se po e nxit Serbinë që të rrisë tensionet me Prishtinën, por vazhdimisht Moska ka hedhur poshtë këto akuza të forta.