Me fjalët që u përdorën më shpesh dje nga Sali Berisha si “revolucion demokratik” dhe “rrëzim regjimi”, kreu i qeverisë ka ironizuar protestën që u mbajt para kryeministrisë, ku protestuesit hodhën edhe shashka e tymuese. Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Edi Rama shkruan: “Dje zhgarravinat e revolucionit, sot dushi i regjimit, nesër nis një javë e re punësh të mira”.
Ditën e djeshme protesta e opozitës e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, zgjati për rreth 3 orë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe pas mbylljes protestuesit hodhën kapsolla, flakadanë dhe zhurmues drejt godinës së kryeministrisë.
Ashtu siç dukej, jo më shumë se 10 mijë vetë iu përgjigjën thirrjes për të protestuar kundër asaj që opozita e konsideroi si skandalin e shekullit, më të rëndin në historinë e vendit (dosjes së McGonigal) dhe për të cilin kishte thirrur 100 mijë vetë për të nisur ‘betejën pa kthim’. Pasi përfundoi fjalimin e tij para protestuesve, i shoqëruar nga rreth 50 persona Berisha u nis në një ‘marshim’ drejt parlamentit, ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës.
Mazhoranca ironizoi protestën e djeshme, ndërkohë i vetmi reagim i kryeministrit Rama ka qenë një video e postuar në facebook duke bërë poçe balte.