Janë publikuar pamjet para dhe pas shpërthimit me tritol në hotel ‘Bizanti’ në Sarandë që u hodh në erë dhe u shemb plotësisht.
Siç duket edhe nga foto, hoteli është shkatërruar tërësisht ndërsa dëme të mëdha ka edhe në bizneset deri në 300 metra larg dhe në rrugë ku shfaqen copa xhami të thyera.
Mësohet se 2 bashkëpronarët, Spiro Çabiri dhe Vangjel Shtuka, janë në gjyq me njëri-tjetrin për shkak të pronësisë. Nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me këtë konflikt, por policia po i heton ato si pista kryesore.
Shpërthimi është dëgjuar në të gjithë Sarandën dhe banorët raportojnë se ka shkaktuar lëkundje të ngjashme me tërmetin. Sasia e eksplozivit të përdorur ka qenë e madhe pasi përveçse ka shkatërruar hotelin dhe picerinë ka shkaktuar dëme në pothuajse 20 biznese të tjera të shëtitores.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijon kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.
“Rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në një hotel dy-katesh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.
Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proces gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli”, njofton policia.