Ish-zyrtarja Alda Klosi ka kërkuar lirinë në Apelin e Tiranës. Avokati mbrojtës Ilirjan Muho dorëzoi këtë të hënë ankimin në Shkallën e Dytë.
Klosi akuzohet për pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë përballë OPGJ.
Ditën e djeshme, Klosit i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’ në Tiranë. Ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj, Alda Klosi është pronare dhe bashkëpronare e 7 pasurive të paluajtshme në Shëngjin dhe në Tiranë.
Klosi është pronare e dy apartamenteve në Shëngjin me sipërfaqe 94 m2 dhe dhe 42 m2. Nga të dhënat e siguruara, është bërë pronare e pasurive në tetor 2021 me kontratë dhurimi. Nuk dihet se nga kush dhe në çfarë rrethanash dy apartamentet i janë dhuruar Klosit.
Alda Klosi ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit pas dëshmisë së dytë të dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e saj janë të Alda Klosit. Sanitarja tha për hetuesit se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin. Por avokati i Alda Klosit thotë se është deklarim i rremë.
Aktualisht ish zyrtarja e lartë e administrates Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen e pasurisë ”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Vetë Alda Klosi nëpërmjet avokatit të saj i ka mohuar akuzat ndërsa gjykata vendosi ta lërë në masën “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohe mbrojtja e Klosit i është drejtuar Gjykatës së Apelit për të ndryshuar masën e sigurisë. Ish zyrtarja pasi ka qëndruar disa ditë në QSUT është transferuar për në paraburgimin 325 në kryeqytet ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve në rast se apeli nuk vendos t’i zbusë masën e sigurisë.