Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar skandalin Rama-McGonigal, duke kërkuar nga Parlamenti që të nisë menjëherë hetimet.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se pasojat e korruptimit të ish-agjentit të FBI-së janë të shumëfishta, duke theksuar se ai u pagua për të vrarë dhe shkatërruar opozitën shqiptare.
“Superskandali Rama McGonigal ka tronditur opinionin publik në SHBA, në Evropë dhe Shqipëri. Në këtë superskandal, dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali. Kjo dosje është historiku i korruptimit të kryezbuluesit, të FBI, pagesës së tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare.
Pasojat e këtij korruptimi janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton dhe ne kemi besim në hetimin e tij, por natyrisht është detyrë emergjente e Parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë super skandal. Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër përveçse hetimit të skandalit Rama McGonigal”, tha Berisha.