Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga protesta e thirrur nga Opozita, Kreu i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimin para parlamentit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kjo protestë shënon fillimin e revolucionit demokratik dhe ka qëllim ngritjen e zërit kundër dhunimit të interesave të shqiptarëve. Më tej ai u shpreh se përfaqësuesit e qytetarëve kanë të drejtë dhe detyrë të mbrojnë interesat e tyre, por bllokohen dhe nuk iu jepet fjala në Kuvend.
“U bëj thirrje demokratëve, qytetarëve të Tiranës të bashkohen sot në orën 5 në një protestë të fuqishme para parlamentit shqiptar. Kjo protestë që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit, shkelmimit të interesave të 750 mijë zgjedhësve shqiptarë, të cilët më datën 25 prill votuan për partitë opozitare. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve trajtohen në Parlamentin shqiptar me praktika staliniste, kriminale e të turpshme.
Përfaqësuesit e këtyre 750 mijë qytetarëve shqiptarë që kanë detyrë kontrollin e qeverisë dhe transparencën nga aubuzimet, përjashtohen, bllokohen, ju mohohet e drejta e fjalës e nuk lejohen të krijojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor i Parlamentit për të bërë transparencë”, tha Berisha.