Dy persona nga Kina me inicialet L. Ch., 36 vjeç dhe Y. Ch., 33 vjeçe, bashkëshortë me njëri tjetrin janë vënë nga prangat e policisë shqiptare në aeroportin e Rinasit. Blutë bëjnë me dije se ata kanë tentuar të kalojnë kufirin drejt Kanadasë duke përdorur leje qëndrimi false. Në lidhje me këtë çështje, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle të shtuara, me pajisje dedektuese bashkëkohore, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Tentuan të kalonin kufirin, drejt Kanadasë, me leje qëndrimi false, arrestohen në flagrancë 2 shtetas kinezë (bashkëshortë).
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet përmes pajisjeve dedektuese bashkëkohore, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Si rezultat, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit:
– L. Ch., 36 vjeç dhe Y. Ch., 33 vjeçe (bashkëshortë), të dy banues në Kinë.
Këta shtetas u kaluan në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm dhe gjatë verifikimeve, rezultoi se lejet e qëndrimit që paraqitën me qëllim udhëtimin drejt Kanadasë, ishin të falsifikuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.