Në 21 Maj emisioni “Stop” transmetoi një problematikë nga qyteti i Vlorës. Babai i një vajze 15-vjeçare, e cila vuan nga çrregullime të spektrit autik, denoncoi neglizhencën e stafit të qendrës komunitare të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Vajza e tij ka rreth 4 muaj, që nuk e frekuenton qendrën, duke humbur dhe terapinë, për shkak të neglizhencës së mësueses, e cila merrej me vajzën në qendër.
Gazetari i “Stop” shkoi bashkë me babain e vajzës në qendrën e fëmijëve, për të takuar mësuesen e vajzës. Prindi dhe mësuesja debatuan para kameras për kujdesin e munguar ndaj 15-vjeçares. Në këto kushte strukturat e bashkisë premtuan, se 15-vjeçarja do t’i rikthehej sërish qendrës dhe trajtimeve, që bënte më parë.
“Absolutisht po, vajza do frekuentojë qendrën. Do të jemi në kontakt me nënën. Po ashtu do të bëhet një rivlerësim nga stafi multidisiplinar i qendrës dhe të shohim progresin apo regresin e fëmijës dhe t’i ngremë objektiva të reja”, u shpreh një prej përfaqësuesve të Bashkisë së Vlorës asokohe.
Por bashkia ka gënjyer prindin e vajzës dhe gazetarin e emisionit “Stop”, ndaj babai i 15-vjeçares kërkoi sërish ndihmën tonë.
“Pas ndërhyrjes suaj u dukën sikur u lëvizën gjërat sikur pak a shumë puna po ecte në rrugën e duhur. Më kërkuan që çupa të dilte para një komisioni vlerësimi. Pas atij komisioni nuk na u tha më asnjë gjë tjetër dhe që prej asaj dite kam kaluar gati 3 javë dhe nuk kemi më asnjë lloj njoftimi. Ne si prindër duke parë neglizhencën e kësaj qendre kërkuam përsëri ndihmën tuaj”, tha babai.
Pas një debati me drejtoreshën e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Vlorës, kjo e fundit premtoi sërish zgjidhjen e menjëhershme të problemit.
Gazetari: Nuk ka pse të fshihesh, ne e kemi ndjekur këtë problem.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Unë nuk kam asnjë..
Gazetari: Ideja është, që ne t’i japim një zgjidhje këtij rasti, sepse e keni në dorë për t’i dhënë zgjidhje.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Nga ajo që ndoqa, unë e di, se goca ka filluar terapinë.
Gazetari: Jo!
Dr. e Burimeve Njerëzore: Unë tani sapo aplikova, është bërë, ka qënë një komision vlerësimi, që ka vlerësuar gocën dhe tani do dali konkluzioni, se kush nga ata punonjësit e qendrës do ta ndjeki.
Gazetari: Ideja është këtu, që kur e kemi ndjekur ne si rast, edhe më përpara, që ka qenë problematike, Sheila po bën 4-5 muaj, që nuk trajtohet edhe kam përshtypjen komisioni çfarë do bëjë, do shpikë ndonjë gjë?! Mjafton brenda orës, vendoset dhe merret, pastaj vajza ka qenë më përpara atje, s’ka pse komisioni.
Babai i Vajzës: Komisioni ça do t’i bëjë, se çupa ka qenë qëkur është hapur qendra.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Më sqaro ti mua, ti e vlerësove gocën sot, para 3-javësh?
Babai i Vajzës: Po!
Dr. e Burimeve Njerëzore: Pas kësaj, që e vlerësove…
Babai i Vajzës: Jo, nuk kam marrë asnjë njoftim unë.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Po mirë atë ditë, që e vlerësove, duhej ndonjë gjë e madhe, për të nxjerrë rezultatin, që s’i…?
Gazetari: Po ne prandaj erdhëm.
Babai i Vajzës: Kur s’e di ti, çfarë të të them unë?!
Dr. e Burimeve Njerëzore: Po jo pra, ti kur doli goca nga komisioni, a kërkove shpjegime, a kërkove sqarime, që kush do e ndjekë gocën dhe në çfarë ore do e sjell nesër? A kërkove këtë gjë?
Babai i Vajzës: Do ju themi neve, thanë.
Gazetari: Kështu, edhe kur erdhëm ne, do ju njoftojmë në telefon edhe nuk i kanë njoftuar.
Babai i Vajzës: Ky është problemi, na përcollën, kur i thonë.
Gazetari: Ideja është, a merren masa nga Bashkia për këta punonjës, që s’e bëjnë punën?
Dr. e Burimeve Njerëzore: Po si s’do merren masa?!
Gazetari: Sepse ata paguhen.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Problematikën, që ndodhi.
Gazetari: Sepse te “Save the Children” ata punonin në rregull.
Dr. e Burimeve Njerëzore: I njëjti staf është.
Gazetari: Prandaj po them pra, atje punonin në rregull, sa kaluan te Bashkia e Vlorës, ia varën, kur i thonë.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Jo, unë nuk e shikoj në këtë…
Gazetari: Po jo ideja është, ne s’po shpikim gjë.
Dr. e Burimeve Njerëzore: Tani nuk mund të them, unë të premtoj, që goca nesër do bëjë terapi dhe Bashkia do vazhdojë vijueshmërinë e masave, kur historia nuk qenka përfunduar, po që tani, që goca do shkojë nesër në terapi, këtë ta jap unë fjalën./tvklan.al