Publikohen për herë të parë disa foto të rralla të mbledhjes së Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, me eksponentët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, e zhvilluar në datën 6 mars të vitit 1966, ku sekretari i parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha diskutoi në praninë e ushtarakëve të lartë, çështjen e heqjes përfundimtare të sistemit të gradave nga Forcat e Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Nisur nga vendimi unanim që u mor për heqjen e sistemit të gradave pas publikimit të së ashtuquajturës ‘Letra e Hapur e Komitetit Qëndror të PPSH-së’, dërguar nënpunësve, puntorëve, ushtarakëve, dhe fshatarësisë kooperativiste, duket qartë se ajo mbledhje ishte thjesht një formalitet, pasi miratimi për heqjen e gradave dhe vendosjen e komisarëve politikë te rradhët e Forcave të Armatosura të Ushtrisë Shqiptare, ishte marrë tashmë.
Në këto imazhe të papublikuara, shihen qartë ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (midis të cilëve gjeneralë dhe kolonelë) të cilët, miratojnë të “entuziazmuar” futjen e sistemit kinez të një ushtrie dhe policie pa grada, ku automatikisht binte roli i komandantit dhe ngrihej roli i komisarëve, nën parrullën e famshme “Partia në komandë”, gjë e cila e kthente ushtrinë nga profesioniste, në një forcë të armatosur ku sundonte ideollogjia.
Ky sistem i cili për kohën, duhet theksuar se ishte unik në botë, pasi përveç ushtrisë së Republikës Popullore të Kinës, atë do ta përvetësonte vetëm Shqipëria, dhe asnjë forcë e armatosur e ndonjë vendi tjetër i botës. Ndonëse vendimi i Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së për heqjen e sistemit të gradave në Ushtrinë Shqiptare dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, u “prit me entuziazëm” nga ushtarakët, shkaktoj dhe shumë pakënaqësi në rradhët e tyre, por ajo gjë ishte në heshtje.
I vetmi ushtarak madhor, madje me gradën gjeneral-major, që kundërshtoj heqjen e gradave në Ushtri, ishte Halim Xhelo, që asokohe mbante funksionin, Drejtor i Sigurimit të Ushtrisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Por kundërshtimi i tij nuk ishte i hapur, por me anë të një letre anonime dërguar Enver Hoxhës, ku përveç problemit të heqjes së gradave, ai ngrinte edhe një sërë problemesh të tjerë për vijën politike që po ndiqte asokohe udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe gjendjen e mjeruar ekonomike ku e kishte çuar vendin ajo.
Por ajo letër anonime u zbulua nga makina e shkrimit me të cilën ishte shkruar dhe gjeneral-major Halim Xhelo Koçiu (me origjinë nga Dukati i Vlorës), u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg, por ai vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1974, në rrethana që edhe sot kanë mbetur të paqarta.
Një tjetër ushtarak i lartë që u dënua për kundërshtimin e hapur që i bëri vendimit të udhëheqjes së PPSH-së për heqjen e gradave, ishte kolonel Dilaver Radëshi (me origjinë nga fshati Radësh i rrethit të Skraparit), i cili ishte studjues dhe historian ushtarak, i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik. Kolonel Radëshi u arrestua në mënyrë demonstrative në mbledhjen e mbajtur në Shtëpinë Qëndrore të Ushtarakëve në Tiranë, dhe vuajti dënimin kryesisht në burgun e Burrelit nga ku u lirua në vitin 1990 dhe ndërroi jetë pas disa vitesh në shtëpinë e tij në qytetin e Korçës.
Heqja e sistemit të gradave në Ushtrinë Shqiptare dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme thuhet se u bë nga Enver Hoxha, pasi ai i trembej ushtarakëve madhorë, ku pjesa më e madhe e tyre kishin studiuar dhe ishin diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, cilët sipas paranojës së diktatorit komunist shqiptar, në çdo moment ata mund të “thyenin besnikërinë” ndaj Partisë dhe të organizonin një “grusht shteti” të mundshëm.
Por heqja e gradave ishte vetëm “hapi i parë’ që ndërmorri Enver Hoxha për të vënë nën trysni dhe kontroll të plotë Ushtrinë Shqiptare, pasi tragjedia e vërtetë mbi ushtarakët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme do të ndodhte disa vite më vonë. Pikërisht në vitet 1974 – ‘75 e para do të goditej Ushtria, me eliminimin e treshes kryesore Balluku-Dume-Çako, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan në vitin 1975) dhe në vitet 1982 – ‘83 do të përmbyllej me eliminimin e kastës drejtuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me dënimin me vdekje dhe pushkatimin e treshes: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe LLambi Peçini. /Memorie.al