Zbardhen detaje të tjera nga dosja që çoi në pranga 4 zyrtarë të bashkisë Dimal dhe 2 punonjës të një firme private.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur në nëntor të vitit 2020 nga kallëzimi i një qytetari me inicialet P.B.. Në kallëzim qytetari akuzon punonjësit e Bashkisë së Dimalit se i kanë dëmtuar biznesin e ngritur në një pronë publike të cilën ai e posedonte që prej fillimit të viteve ‘90 me justifikimin se do të ndërtohej lulishte, por sipas tij pas prishjes prona i është kaluar nja qytetari tjetër.
Më tej në kallëzim thuhet se ne atë vend ka nisur të ndërtohet një objekti që sipas kallëzuesit është po ashtu privat dhe jo lulishtja që ishte njoftuar.
Punimet për lulishte nga ana e Bashkisë nuk kanë pasur si qëllim zgjerimin e hapësirave publike, por të favorizonin personin tjetër, me të cilin kallëzuesi pranon se ka pasur një konflikt pronësie. Pas gati 2 vitesh hetime për këtë çështje këtë të martë SPAK lëshoi 6 urdhër-arreste.
Nga hetimet e thelluara SPAK, përveç rastit të kallëzuar nga shtetasi P.B ka zbuluar edhe shumë episode të tjera të korrupsionit që kryenin zyrtarët e bashkisë Dimal. Referuar burimeve nga struktura antikorrupsion mësohet se këta shtetas akuzohen se në këmbim të shumave monetare që varionin deri në 2 mijë e 500 euro lejonin qytetarë të ndryshëm për të kryer ndërtime dhe shtesa kryesisht në zonën e Dimalit.
Në pranga kanë përfunduar ish-shefi i transporteve në bashkinë e Dimalit, Arben Gurraj, drejtor i Zyrës së Urbanistikës Altin Pali si dhe shefi i IKMT Agim Çunaj. Po kështu, në pranga kanë përfunduar edhe inxhinieri i bashkisë Arjan Demiri si dhe ekonomistët, Vajet Kushi e Valentina Jançe.