Udhëheqësit botërorë do të ndjekin këtë javë Konferencën e Sigurisë në Mynih ndërsa po afron përvjetori i fillimit të sulmit të Rusisë në Ukrainë, si dhe po rriten tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara me akuza për spiunazh.
Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, diplomati i lartë kinez Wang Yi, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe kreu i NATO-s Jens Stoltenberg do të jenë pjesëmarrës në takimin treditor.
Një vit pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin, konferenca në Mynih do të përballet me pikëpyetjen se si mund të respektohet rendi botëror i bazuar në rregulla, tha kryetari i konferencës Christoph Heusgen.
Çështja se si duhen trajtuar personat, udhëheqësit politikë, që nuk respektojnë shtetin ligjor do të jetë në axhendë, tha ai.
Tensionet SHBA-Kinë ka gjasa të jenë në plan të parë gjatë takimit në qytetin gjerman, ndërsa marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Uashingtoni rrëzoi një balonë spiune kineze në fillim të shkurtit.
Zoti Heusgen tha se nuk mendon që zoti Wang do të shfrytëzojë fjalimin në këtë aktivitet për të thënë “ndjesë, ishte balona jonë spiune që kaloi në qiej”. Por, ai shtoi se shpreson se “do të ketë bisedime… në kuadrin e takimit. E kam thënë tashmë se do të kemi një delegacionin amerikan të nivelit të lartë që do të marrë pjesë”./VOA