Si duhet të veproni në rastet kur ambulanca vonohet?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër ku një 60-vjeçar humbi jetën, pasi shtëpia e tij u shkrumbua nga flakët, ndërsa bashkëshortja mbeti e plagosur.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, Kapllan Nasufi nuk mundi t’i mbijetonte djegjeve të marra.

Fqinjët e të ndjerit akuzojnë drejtpërsëdrejti bluzat e bardha, duke u shprehur se ambulanca erdhi shumë me vonesë, gjë që solli mosndërhyrjen në kohë të ndihmës së shpejtë.

Por drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Senad Halluni shprehet se kjo nuk është e vërtetë pasi menjëherë pas njoftimit se një banesë kishte marrë flakë dhe se brenda saj ndodheshin dy persona, ambulanca ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta.

“7 minuta është një kohë optimale për të shkuar në vendngjarje”, u shprehdrejtori.

Më tej, Halluni u bëri thirrje qytetarëve që në raste të tilla, të njoftojnë vetë shërbimin kombëtar të urgjencës dhe jo t’ia lënë në dorë zjarrfikësve, pasi janë minuta të humbura.

Por, si mund të ndihmoni veten dhe të tjerët në rast nevoje?

-Së pari, përpiquni të ruani qetësinë. Telefonata për ndihmë që ju do të bëni mund të jetë (është) vendimtare.

-Numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është 127.

-Në telefonatën që do të bëni duhet të jeni sa më të qartë: tregoni sa më me saktësi të mundeni vendin ku ndodheni (nëse nuk njihni zonën përdorni pikat më të afërta të orientimit), për sa persona po kërkoni ndihmë (që stafi mjekësor të marrë masat) dhe pëshkruani gjendjen në të cilën ndodhet (shenjat, simptomat)

-Për më shumë informacioni vizitoni adresën virtuale urgjenca.gov.al

-Numra të tjerë jetëshpëtues, që duhet t’i dini: Zjarrfikësja 128, Policia Rrugore 126, Policia e Shtetit 129.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *