Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka folur në lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi është shprehur se do të presë vendimin e Gjykatës së Apelit para se të vendosë për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.
“Ka vetëm një Parti Demokratike, e cila nëse do të plotësojë kushtet për t’u regjistruar, do të regjistrohet. Nuk mund të ketë dy PD, sepse nuk mund të ketë dy parti me të njëjtin emër. Në momentin që do të paraqitet kërkesa për regjistrim, do të vlerësojmë dokumentacionin bashkëshoqërues të kërkesës për regjistrim dhe cilësitë e personit apo personave që do të paraqiten.
Besoj se në datën 3, gjykata do të vendosë në lidhje me konfliktin se cili do të jetë udhëheqës i PD dhe besoj se Gjykata ka angazhim pozitiv për ta zgjidhur këtë çështje para se të përfundojë afati i regjistrimit. Duhet të jetë e qartë se kush është organi drejtues i asaj partie”, tha Celibashi