Ajo i shpëtoi vdekjes pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 40,000 njerëz. Dhe tani Aya e vogël, një emër që do të thotë mrekulli në arabisht, e gjetur e gjallë në rrënojat në veriperëndim të Sirisë ende e lidhur me kordonin e kërthizës , do t’i kishte shpëtuar një tentative rrëmbimi. Për këtë arsye, mjekët e spitalit të Afrinit, ku ajo po trajtohet, kanë vendosur ta transferojnë “në një vend të sigurt”.
Sipas asaj që shkruan BBC në internet , drejtoria e shëndetësisë ka marrë masën paraprake për të mbrojtur të porsalindurën nga rrëmbimet e mundshme dhe birësimet mashtruese pas “tentativës së rrëmbimit”. Pak ditë më parë drejtori i spitalit kishte dyshuar për një infermiere , pasi e kishte zbuluar duke fotografuar Aja-n në djepin e saj dhe i bindur se donte ta rrëmbente, e pushoi nga puna. Të hënën, disa persona të armatosur, të shoqëruar nga e njëjta infermiere, hynë në spital dhe rrahën drejtorin. Kreu i drejtorisë së shëndetësisë, Ahmad Hajj Hassan, mohoi pretendimet që u shfaqën në mediat sociale se ishte një tentativë rrëmbimi.
” Akuzat për rrëmbim ishin një keqkuptim. Ishte një çështje e brendshme në spital dhe nuk kishte asnjë lidhje me fëmijën,” tha ai. Megjithatë, vajza e vogël u zhvendos në një vend të sigurt pasi disa persona u shfaqën në spital ditët e fundit duke pretenduar se ishin të afërm të Aya-s , gjë që bëri që spitali të kërkonte një shërbim mbikëqyrjeje.
Historia e Aya-s së vogël tronditi botën dhe mijëra njerëz u ofruan ta adoptonin atë . Menaxhmenti shëndetësor ka vendosur të veprojë me kujdes në procesin e adoptimit.