Zbulimi i prestigjozes ‘The Guardian’ për manipulimin në zgjedhje në 33 vende të botës, nga një kompani izraelite ka përfshirë edhe Greqinë. “Mjeshtri” i grupit izraelit raportohet se është Tal Hanan, ish-agjent i forcave speciale 50-vjeçar, i cili tani punon privatisht me pseudonimin “Jorge”.
Një nga shërbimet kryesore të “Team Jorge” është një paketë e sofistikuar softuerike, “Advanced Impact Media Solutions” ose ndryshe “Aims”. Kjo paketë ka nën kontrollin e saj një ushtri të madhe me mijëra profile të rreme të mediave sociale: Twitter, LinkedIn, Facebook, Telegram, Gmail, Instagram dhe YouTube.
Videoja që posedon gazeta Guardian është regjistruar nga tre gazetarë, të cilët iu afruan “Ekipit Jorge” dhe u paraqitën si klientë të mundshëm. Hanan i përmend grupit të gazetarëve që iu afruan se organizata e tij ka zyra edhe në Greqi. Në fjalimin e tij fillestar për klientët e mundshëm, ish agjenti i forcave speciale izraelite tha:
“Ne jemi të përfshirë në zgjedhjet në Afrikë… Kemi një ekip në Greqi dhe një ekip në Emiratet. Ne përfunduam 33 fushata në nivel presidencial, 27 prej të cilave ishin të suksesshme”.
Në takimet e regjistruara në fshehtësi, Hannan dhe ekipi i tij diskutuan mënyrat se si mund të mblidhnin informacione për kundërshtarët e tyre, duke përfshirë përdorimin e teknikave të hakerimit për të hyrë në llogaritë e Gmail dhe Telegram.
Pas bërjes publike të këtij skandali në Greqi ka pasur reagime. ‘Protothema.gr’ raporton se hyrja e vendit në një periudhë parazgjedhore e bën edhe më të nevojshme nevojën e ndërhyrjes së prokurorisë për të hetuar zbulimet e shtypit ndërkombëtar në aspektin që ka të bëjë me Greqinë.
Pas këtij zbulimi, ka pasur reagime dhe nga partitë greke:
Njoftimi i SYRIZA-s: Hyrja e vendit në një periudhë parazgjedhore e bën edhe më imediate nevojën e ndërhyrjes së prokurorisë për të hetuar zbulimet e shtypit ndërkombëtar në aspektin që ka të bëjë me vendin tonë. Asnjë ndërhyrje e errët nuk mund të anulojë vullnetin e qytetarëve grekë për Drejtësi dhe ndryshimin politik që po vjen”.
Përgjigja e Demokracisë së Re: SYRIZA vazhdon përpjekjen e dëshpëruar për të menaxhuar humbjen e afërt, duke shkuar deri aty sa të shtrembërojë një artikull të Guardian për të krijuar trillime që janë hedhur poshtë nga një artikull tjetër i Guardian sot për të njëjtën temë! Jo vetëm që artikulli shtrembërues i SYRIZA-s nuk lidhet askund me tentativën për manipulim zgjedhor në emër të qeverisë, por përkundrazi vetë Guardian flet për kompanitë që përdorin mjete dhe strategji online për mosmarrëveshjet tregtare!