Gianni Infantino po shkon drejt një mandati të tretë si numri një i FIFA-s. Nën drejtimin e Federatës Botërore të futbollit, 52-vjeçari gjendet prej vitit 2016, një rol që i ka sjellë edhe ish-sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s një pagë të konsiderueshme.
Në vitin 2022, presidenti i FIFA-s pa një rritje të pagës së tij në krahasim me vitin 2021, e cila ndahet mes një kuote fikse dhe një pjese të bonusit. Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka shpallur tarifat e paguara për drejtuesit më të lartë, në dokumentin që lidhet me llogaritë për vitin 2022. Në detaje, Infantino fitoj gjithsej 3.6 milionë franga zvicerane (e barabartë me afërsisht 3.64 milionë euro), duke përfshirë një bonus prej pak më shumë se një milion franga zvicerane.
Kjo është një rritje prej rreth 400 mijë euro krahasuar me pagën e vitit 2021. Presidenti i FIFA-s ka udhëtuar në shumicën e vendeve të botës që prej marrjes së detyrës, teksa banon në Doha të Katarit. Rritje ka pësuar edhe paga e sekretares së përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samoura. Tashmë ajo fiton 2 milionë euro në vit. Në vitin 2016, ajo u bë femra e parë që merr detyrën e sekretares së përgjithshme të FIFA-s.