Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se Mc Gonigal u pagua si vrasës me pagesë për të shkatërruar opozitën, për pushtetin e Edi Ramës, ku të përcaktonte licenca dhe të vidhte pasanikët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij në protestë, Berisha ka thumbuar edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri duke deklaruar se shumë prej tyre janë ‘McGonigalë të veshur me imunitet diplomatik’. Duke mos përmendur emër por duke nënkuptuar ambasadoren amerikane Yuri Kim, Berisha tha se në Shqipëri ka ambasadorë që janë pengje korrupsioni të Ramës.
“Ne do u themi jo McGonigalëve diplomatë të korruptuar, të marrim fatet e vendit në duart tona. McGonigal, i cili tradhtoi vendin e tij, por tradhtarë ka kudo, u pagua si vrasës me pagesë për të shkatërruar opozitën me një qëllim të vetëm, për pushtetin e Edi Ramës, ku të përcaktonte licenca, ku të vidhte dhe vetëm vidhte pasanikët shqiptarë. Të gjitha këto për të salduar pushtetin e tij. Ai ishte armik i egër i opozitës shqiptare, por nuk punuan më pak për pushtetin e Ramës dhe McGonigalë të tjerë.
Kujtoni deklaratat e McGonigalëve me pushtet diplomatik. Ata ishin pengje të korrupsionit të Edi Ramës. Që tani struken se mos u dalin lidhjet e McGonigalit. Mos u strukni u them, dilni se për shqiptarët, ju jeni McGonigalë të vërtetë. E thashë këtë se unë e di që shumë njerëz e marrin si një gjysmë fataliteti, por kurrë. Ne do u themi jo diplomatëve të korruptuar, të marrim fatet e vendit në duart tona, të ndërtojmë Shqipërinë mbi bazën e atyre idealeve që kemi ne”, tha Berisha.