Fatkeqësisht, besoj që ne e kemi humbur sensin për të kuptuar shumë gjëra që ndodhin në këtë Parlament. Kam hequr dorë për të kuptuar shumë gjëra dhe shumë sjellje në këtë Parlament.
Po dëgjoja qeverinë që u drejtua me shprehje që i mbajta shënim: vrasës, kriminel, hajdut, hajni dhe në fakt këto gjëra janë shumë të mira për qytetarët, për votuesit. Pikërisht janë këto gjëra që qytetarët presin t’ju drejtohemi sot.
Këto janë elementët që qytetarët shqiptarë presin të dalë nga ky Parlament që rrezaton mençuri, dritë, elitën e këtij kombi që fatkeqësisht nuk di të flasë, sillet me dhunë dhe që fatkeqësisht nuk di të ofrojë zgjidhje dhe hedh vetëm mllef.
U përpoqa që të lexoj për kontratën koncesionare disa elementë të cilët besoj që do të ishin të rëndësishëm dhe për qytetarët. Për më tepër pyes veten për guximin për të marrë vendime si ky që ka marrë qeveria dhe kemi para nesh. Atë që keni sharë, anatemuar, sulmuar dilni dhe e mbroni këtu.
Shumë kolegë socialistë përpara vitit 2013 përdorën fjalët “kontrata koncesionare e pullave fiskale është interes i qeverisjes, i familjes se qeverisjes”, interesi i kujt është kjo kontratë sot që miratohet këtu? Interesi i kujt është kjo kontratë që vjen sot në Parlament?
Znj. Ministre në fakt nuk ka faj sepse ka nja 2 muaj që është fshehur që në momentin që është arrestuar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave. Nuk vjen në komision, nuk flet për buxhetin, fshihet aty pas forcës së kartonave dhe e kuptoj shumë mirë që është e paaftë dhe arrogante që të kthej përgjigjje se interesin e kujt mbroni me këtë kontratë koncesionare që e shtyni për dy vite.
Por gjithashtu besoj që qytetarët shqiptarë sot kanë nevojë që të dëgjojnë se korrupsioni nuk ka një ngjyrë. Sepse ai pushtet që blen atë kontratë koncesionare që vazhdon nga një qeverisje në tjetrën, ai pushtet që blen vota, ai që kap sot Parlamentin për të votuar dhe për të shtyrë këtë kontratë koncesionare nuk mund të ketë ngjyrë.
Sikundër besoj sot që qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë se kush është i korruptuari që ka sjellë këtë kontratë koncesionare në Parlament. Kush janë ata që do të ngrejnë kartonat për të votuar këtë kontratë koncesionare?
Sot ka 3 kontrata koncesionare të cilat i keni akuzuar dhe i keni anatemuar. Nëqoftëse ka barrë më të rëndë për buxhetin e Shqipërisë, janë pikërisht koncesionet. Koncesionet abuzive të rrugëve, të shëndetësisë, koncesionet abuzive të cilët po kalojnë çdo limit, po lëvizin në porte, në aeroporte, ku çdo ditë një copë Shqipërie jipet.
E di që nuk i lini dot që të flasin sot se çfarë po ndodh me vjedhjet, se këtu thuhet sigurisht që e ka fajin pala tjetër dhe vazhdojmë përjetësisht t’ia hedhim topin tjetrit që e ka fajin dhe kurrë s’kanë për të dal fajtorët e vërtetë!
Sot besoj që qytetarët shqiptarë meritojnë të dëgjojnë në lidhje me tre koncesionet korruptive. Meritojnë të dëgjojnë për 2.2 miliardë euro të cilat i kanë ardhur buxhetit të shtetit në këto 10 vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste.
Ngaqë nuk besoj që ka sfidë më të madhe Shqipëria se korrupsioni. Korrupsioni që blen zyrtarin e FBI-së, që blen punonjësen e koncesioneve dhe tatimeve; korrupsioni tek inceneratorët; korrupsioni që vjen në Parlament, që detyron deputetët të votojnë kontrata për të shtyrë afatin për 2 vite kontratat që I kanë akuzuar si korruptive.
Korrupsioni i banaqeve sot ka kaluar në nivelin e kapjes së shtetit. Sot korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë dhe prandaj nuk funksionon as ky Parlament, prej korrupsionit. Unë jam e sigurt që shume do kishin dashur t’i flasin këto fjalë, por që të flasësh për korrupsionin kërkon shumë guxim!
Unë besoj që kërkon guxim t’i vësh emrin atyre që vjedhin sot Shqipërinë! Unë besoj që kërkon guxim sot të flasësh dhe të thuash që korrupsioni nuk njeh ngjyrë, nuk njeh pushtet dhe kur vjen në këtë Parlament jeni të gjithë të përlyer!
385 milionë euro fatura arbitrazhi ka sot kjo qeveri prej kontratave abuzive të bëra pikërisht nga kjo qeveri. Kontrata koncesionare e inceneratorëve sot paguan dhe inflacionin, paguan dhe persona në kërkim dhe persona për afera korruptive.
Nuk e ndalon asgjë këtë qeveri që në 8 vite të hetonte kontratat korruptive dhe ashtu siç e ka përcaktuar kontrata, në rastin se kur këto vepra janë gjetur që janë korruptive, pagesat duhet të ishin ndaluar.
Nuk e ka fajin opozita, sepse për 8 vite kjo qeverisje ka mbuluar, ka manipuluar, ka shtuar kontrata tjera, sigurisht në përfitim të opozitës, në përfitim të atyre që mbulojnë.
Une në këtë Parlament nuk kam frikë të përmend askënd. Mund të jem nga të vetmet që kam përmendur këdo duke filluar nga nafta, duke vazhduar me koncesione, duke vazhduar me rrugët dhe inceneratorët. Nuk kam as frikë sepse nuk më kap askush nga xhepi.
Por një gjë duhet ta thuash, që kush është oligarku këtu. Ti ke thënë që është një oligark pas këtij koncesioni, nuk e kam thënë unë.
Sot ka 3 njolla turpi të cilat janë mbi këtë qeverisje, sigurisht përveç të tjerave pafund, por ka 3 njolla turpi që i kanë sharë dhe kanë hedhur mllef, i kanë anatemuar dhe na kanë akuzuar, ndërkohë që sot po vazhdojnë. Kush janë të korruptuarit këtu?!