Një 38-vjeçar i dënuar me 12 vite burg në Itali është arrestuar në kufirin e Morinës, teksa po hynte nga Kosova në Shqipëri.
Uniformat blu raportojnë se Valerjan Arra është kapur me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Atij i ka mbetur edhe 4 vjet e 4 muaj për të vuajtur nga ky dënim me burgim.
Njoftimi i policisë:
Kapet në PKK Morinë dhe arrestohet përkohësisht, për t’u ekstraduar drejt Italisë, 38-vjeçari i dënuar me mbi 12 vjet burgim, për trafikim narkotikësh, të kryer në formën e grupit kriminal.
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, si rezultat i verifikimeve të kryera në bazë të analizës së riskut dhe nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm më Interpol Tiranën, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të kërkuar kombëtarisht apo ndërkombëtarisht, për veprimtari të ndryshme kriminale, kanë arrestuar provizorisht, në hyrje të RSH-së, shtetasin:
-Valerjan Arra, 38 vjeç, banues në Shkodër.
38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit të Firences e ka dënuar me 12 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit kriminal, të parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë. Shtetasit Valerjan Arra i kanë mbetur për të vuajtur nga ky dënim me burgim, edhe 4 vjet e 4 muaj.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit.