Juliana Nura, siç njihet nga të gjithë me emrin Xhuli, ka treguar edhe një herë brenda shtëpisë së ‘Big Brother VIP Kosova’ sherrin që ka pasur vite më parë me këngëtaren Dafina Zeqirin, për shkak të ish-të dashurit të përbashkët. Kjo temë u hap sërish pas pyetjes që i bëri Stresi, gjatë darkës së të nominuarve.
“A mendon se një grua e fortë si ti, që flet për feminizëm dhe mbrojtjen ndaj gruas, dha një shembull të mirë duke përmendur dhunën ushtruar ndaj një gruaje tjetër qoftë dhe si vetëmbrojtje?”, i ka thënë ai.
Në përgjigjen e saj Juliana ka dhënë më shumë detaje rreth sherrit (versionin e saj). Ajo tha se kur u takua ishte Dafina me motrën e saj dhe nisën ta ofendonin. Më pas, sipas Xhulit, kishte kapje nga flokët mirëpo ajo nuk e quan sulm por vetëmbrojtje, duke shtuar se nisi ajo e para.
“Ishim në një vend të përbashkët, kafe ose një lokal. Ishte me motrën e saj dhe në atë kohë ishim dy fytyra që ishim përfolur dhe motra e saj më ofendoi rëndë. Ajo erdhi nga shpina dhe m’i kapi flokët. Nuk është sulm, por vetëmbrojtje. Nuk kam filluar unë e para por ka filluar ajo”-tha Juli.
Si lindi konflikti mes Dafinës dhe Xhulit?
Në vitin 2010, Xhuli dha një intervistë ku tregoi arsyet e konfliktit me Dafinën.
“Me Krenarin jam njohur përmes motrës së tij, Abetare Çoçajt dhe ka lindur një shoqëri, kështu para dy vitesh kemi qenë në shoqëri edhe jemi shoqëruar nëpër klube të ndryshme të natës me të, por vetëm si shoqëri në fillim. Krenari më është vardisur, por unë kam qenë ajo që nuk kam dëshiruar asnjë lidhje duke i thënë se mund të jemi vetëm shokë dhe asgjë më shumë”, tha Xhuli.
Xhuli shtoi se në atë kohë këngëtarja Dafina Zeqiri është njohur me Krenarin përmes saj dhe stilistit, Armendit. Gjithashtu më tej, Xhuli zbulon se ka qenë pikërisht Dafina ajo e cila ka tentuar dy vite radhazi që ta sulmojë atë nëpër klube të ndryshme ku kanë qëndruar, dhe e ka ofenduar në mënyra të ndryshme, kurse sipas saj, Xhuli deklaronte që i’u është shmangur gjithmonë provokimeve dhe zënkave.
Ndërsa në vitin 2011 kur Dafina ishte pyetur për një fotografi të ish-të dashurit të saj (Krenarit) me Xhulin, ishte shprehur se nuk e njeh personalisht dhe se kishte dëgjuar për të vetëm nga të tjerët.
“Ajo foto është një e kaluar e Krenarit dhe nuk komentoj për të kaluarën e dikujt, sepse jetoj për sot dhe për të ardhmen! A, për Xhulije Nurën?! S’më vjen shumë keq, por as që e njoh këtë vajzë. Kam dëgjuar për të si çdo njeri tjetër në Kosovë, nëpërmjet videove dhe fotove të saj dhe asgjë tjetër s’mund të shtoj”, ishte shprehur në atë kohë Dafina.