Sot shpallet konkursi për muzeun “Besa”, i cili i hap rrugë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, tha se ky muze nuk do të ekspozojë vetëm dokumente dhe imazhe filmike por do t’ju shërbejë atyre që duan të kenë më shumë informacion.
Më tej ai shtoi se ky është një destinacion i ri në qytet për të rinjtë dhe punëtorët e mendjes në të gjitha fushat që kanë dëshirë të njihen nga afër me zhvillimet e historisë së shtetit të Izraelit.
“Nëse në rastin e Vlorës, kemi një muze të hebrenjve. Këtu kemi ambicien që të shkojmë përtej, të kemi një vepër arkitektonike të kombinuar mes kësaj shtëpie tradicionale, një monument kulture në rrezik dhe një hapësire moderne që do ta konceptojnë arkitektët, që do të shërbejë si një hapësirë e kulturës, e traditës dhe e artit dhe e librit hebraik për të cilën kemi nisur bisedimet me qeverinë e Izraelit. Një destinacion i ri në qytet që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve por edhe për të rinjtë dhe punëtorët e mendjes në të gjitha fushat që kanë dëshirë të njihen nga afër me zhvillimet e historisë së shtetit të Izraelit.
Shtëpia me sekretet të historisë së shpëtimit të hebrenjve është qendra e këtij projekti dhe ku na krijohet mundësia që të dokumentojnë dhe arkivojmë, të kemi një punë të mirëfilltë shkencore që nuk nis me muzeun por ka nisur prej kohësh dhe mund të përmend me mirënjohje profesor Shaban Sinanin, shumë i përkushtuar i kësaj historie, autor i disa veprave me shumë rëndësi por edhe të tjerë që janë të lidhur në akademinë tonë të shkencave”, tha Rama.