Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke dhënë një mesazh edhe për tensionet me Serbinë. Begaj thotë se duhet të bashkëpunojnë për stabilitet dhe paqe në rajon.
“Në këtë ditë të shënuar, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një kombi. Kujtojmë sot liderin e forcës së durimin, shqiptarin që çoi përpara kauzën e Republikës së Kosovës dhe ruajti paqen, kujtojmë presidentin Rugova, president i paqes në rajon.
Ju uroj sukses e hapa sa më të shpejtë për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera. Kosova është shtet i lirë e i pavarur, sido që të veprojë Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së republikës së Kosovës. Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Ne ballkanasit nuk jemi larg njëri-tjetrit po jemi shembull që distancat s’janë as kriter as pengesë për t’ju gjendur pranë njerëzve e popujve. Gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës, shtet përjetë”, tha Begaj.