Kreu i PD, Sali Berisha thotë se Joy Aoko, 22-vjeçarja nga Kenia që ndërroi jetë është vrarë.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se ky krim do të zbardhet shumë shpejt. Ai shtoi se ngjarja është mbajtur e fshehtë, por nuk përmendi asnjë emër.
“Kush e vrau vajzën nga Kenia? Kush e fshehu krimin. E vërteta do të dalë dhe kjo gjë do të dalë shumë shpejt. Këta janë të inkriminuar, por e vërteta do të zbardhet”, tha Berisha.
Joy Aoko ndërroi jetë në Kenia, ku u transportua në gjendje kome, disa muaj pasi ndodhej e shtruar tek Trauma. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte.