Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur në Konventën Kombëtare të grupimit “Dhjetor ’90” për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë.
Ai u shpreh se ishte ky grupim që themeloi PD dhe solli pluralizmin në vend duke triumfuar përballë diktaturës më të egër në Europë e botë.
“Nisët një revolucion demokratik që përbën faqen më të ndritur të lëvizjes paqësore të shqiptarëve për liri, më të suksesshmen. E nisët revolucionin karshi një regjimi që mbante të shtypi mbi 45 vite kombin në një diktaturë si asnjë tjetër në Europë e Botë, në një kasaphanë të luftës së klasave, ë një tirani urie e varfërie, në një izolim të plotë e total dhe indoktrinim ekstrem.
Por forca juaj ishte mbinjerëzore. Revolucioni triumfi sepse patët mençurinë të besoni në forcën e lëvizjes paqësore. U provokuat me dhjetëra herë. Në fakt PD ju e themeluat. Shqiptarët ju quajtën engjëjt e demokracisë, studente liberatorë, dhe ju u shpërndatë në të katër anët për të themeluar PD dhe pluralizmit.
Lëvizja juaj paqësore ishte një revolucion i jashtëzakonshëm.
Ndalem këtu për disa arsye! Para se ju të mendonit të rrëmbenit armët, ju vendosët vetëflijimin në një akt madhështor sa vetë historia. U ngujuat për të shpëtuar universitetin tuaj dhe shqiptarët nga kulti i satanit të Enver Hoxhës. U ngujuat në një grevë me vendosmëri ekstreme dhe ia dolët që Shqipëria të vërshojë drejt jush dhe të përmbysë bustin e diktatorit.
Ky revolucion njohu uljet dhe ngritjet, por përmbysi me votën e lirë diktaturën staliniste.
Cilat ishin tiparet e revolucionit që ju bëtë dhe drejtuat? Ishin të ngjashme me revolucione të tjera të vendeve ish-komuniste, por edhe dallonin me shumë prej tyre.
Të gjitha ishin revolucione që përmbysën klikat komuniste, por asnjë vend tjetër, asnjë rini tjetër, asnjë revolucion tjetër nuk operoi si ne në kushtet e një izolimi të plotë dhe total.
Disidencat kalonin nga njëri vend në tjetrin, lëvizjet ndiqnin njëra-tjetrën në vendet lindore, kurse në Shqipëri, pasi përcolli kryengritësit e 2 korrikut nëpër botë, Ramiz Alia arriti të rivendosë përsëri Perden e Hekurt. Pra, ishte një revolucion në kushtet e një izolimi të plotë.
Ky revolucion ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit. Kombet e tjera, sado që në diktaturë nuk kishin njohur izolimin që njohën shqiptarët, nuk u shkëputën nga qytetërimi evropian, pati kufizime, por jo shkëputje. Kishte prej tyre që lëviznin pa viza ose me një sistem fare liberal vizash. Kurse në Shqipëri, viza ishte tmerr dhe ferr.
Pra, në kushtet tona, ne ia dolëm të çajmë edhe këtë izolim. Ne ia dolëm me ato parime të ecim drejt të ardhmes. Flamujt që valëvitëm në 90-tën ishte flamur amerikan, parullat e studentëve ishin ‘Xhorxh Bush’”, tha Berisha.