Dhanë ndihmën e tyre në Turqi/ Ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit kthehen në atdhe

Tre skuadrat shqiptare që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas dy tërmeteve katastrofike të rëna në Turqi, përfunduan misionin e tyre dhe u kthyen në atdhe. Ekipet e vendit tonë kanë nxjerrë nga rrënojat 26 persona të bllokuar, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar.

Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre.

Në ceremoninë e përcjelljes ishte e pranishme edhe konsullja shqiptare në Stamboll, Blerta Kadzadej, e cila shprehu falënderimet për punën  e palodhur të ekipeve shqiptare.

Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka falenderuar ekipin teksa shkrroi se Shqipëria do të jetë gjithmonë gati për të dhënë kontrinutin e saj.

“Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi. Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë” – shkruan Peleshi.

Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit. Gjithashtu, në emër të pupollit shqiptar, Kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *