Moderatori Ronaldo Sharka humbi të atin pak kohë pasi doli nga shtëpia e Big Brother VIP, për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Ai ka reaguar së fundi duke i falenderuar të gjithë për mesazhet ngushëlluese, për të cilat ka thënë se në një moment të dytë do ulet t’i shoh të gjitha. Ronaldo shkruan në një postim në “Instagram” se dashuria që ka marrë këto kohë ia ka lehtësuar dhimbjen dhe shton se ky Big Brother ishte për babanë e tij, edhe pse nuk fitoi.
Moderatori shkruan më tej se do ketë një kujtim të bukur gjithë jetën, pasi do shohë vazhdimisht momentin kur i ati shkoi në shtëpinë e BB VIP, teksa falenderon Zotin që doli në momentin e duhur.
“Ky postim për të gjithë ju! Në emrin tim dhe të familjes time, ju falenderojmë publikisht për ngushëllimet dhe të gjithë mbështetjen emocionale që na keni dhënë të gjithë, jo vetëm të afërmit, shoqëria e kolegët, por të gjithë shqiptarët, ndaj ju kërkoj ndjesë publikisht nëse nuk kam mundur t’i përgjigjem mesazheve tuaja, por besoj që më mirëkuptoni në këtë pjesë, pasi janë me mijëra.
Në një moment të dytë do ulem dhe do i shoh një për një. Dhimbjen nuk e shëron asgjë, koha mbase, por ju na keni dhënë shumë dashuri këto ditë ndaj na e keni lehtësuar sado pak. Im atë u largua i ri, vetëm 52 vite jetë pavarësisht që sëmundja e “plaku” para kohe, ama në 52 vite jetë tregoi që mundet edhe të jesh njeri i mirë, në këtë botë komplekse dhe pavarësisht “plakjes” fizike, sëmundja nuk ia doli t’i plakte shpirtin dhe zemrën. Ky Big Brother ndoshta nuk ishte i imi, ama për tim atë po. Do kem gjithë jetën kujtimin më të bukur, përqafimin më të ndjerë me audio dhe video, që sa herë të më marrë malli do e shoh. Këto ditë kam falenderuar Zotin që kam dalë nga shtëpia pikërisht në atë moment, kur im atë kishte nevojë për mua. Faleminderit edhe një herë, nuk di si t’ju falenderoj madje, por faleminderit nga zemra. Babi, të dua”, shkroi ai.