BE-ja pret pranim të propozimit franko-gjerman, Serbia tregon “vijat e kuqe”

Bashkimi Evropian pret që në takimin e 27 shkurtit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të arrihen rezultate të mira. Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pret që palët ta pranojnë planin franko-gjerman, ndërkohë ministri i Jashtëm i Serbisë ka folur për “vijat e kuqe”, sipas të cilit, ato i di edhe bashkësia ndërkombëtare. Ai ka thënë se formimi i Asociacionit është kusht për vazhdim të negociatave në Bruksel

Tetë ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë në Bruksel, përfaqësuesit e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian kanë inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta pranojnë propozimin franko-gjerman. Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme e të Sigurisë të BE-së, Josep Borrell, në një intervistë për Deutche Wellen, të dielën, është shprehur optimist në arritjen e rezultateve të mira në takimin e 27 shkurtit.

“Jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të takohem me të dy në Bruksel më 27 shkurt, po, i kam ftuar për të pasur një ditë të plotë diskutime. Është një propozim në tryezë. Shpresoj që ata të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre”, ka thënë Borrell.

Mbështetje propozimit franko-gjerman i ka dhënë edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

“Nuk ka rrugë tjetër drejt marrëveshjes. Të gjitha idetë e tjera, si ruajtja e një konflikti të ngrirë, në fakt janë funksione të doktrinës së shkatërrimit ndaj Evropës dhe ndaj Ballkanit Perëndimor si rajon evropian”, ka thënë Gjukanoviq.

Derisa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha të shtunën se nuk do të pranojnë republikë serbe brenda Kosovës, homologu i saj nga Serbia, Ivica Daçiq, në një intervistë për Euronews ka thënë se, para së gjithash, duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Në fakt, nga përfaqësuesit ndërkombëtarë e kam dëgjuar se ata e dinë se cilat janë qëndrimet tona, apo si po thuhet tash në mënyrë moderne vijat tona të kuqe, përkatësisht gjërat e papranueshme. Kjo është që për çdo gjë mund të flasim, por fillimisht duhet të formohet Asociacioni. Kjo nuk mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë Daçiq.

Ai foli edhe për vijat e kuqe, përtej të cilave, sipas tij, Serbia nuk kalon.

“E dyta çka ne nuk mund të pranojmë është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, duke menduar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi nuk janë të gjitha organizatat ndërkombëtare të njëjta, si dhe në një pranim formal të Kosovës. Këto janë gjëra të papranueshme, të gjitha të tjerat janë pjesë e bisedimeve të ardhshme dhe Serbia dëshiron të jetë konstruktive”, ka shtuar ai.

E ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta shtojë presionin mbi Serbinë për njohjen e Kosovës.

“Mendoj që Macron dhe Scholtz duhet ti thonë Vuçiqit ta pranojë Kosovën me shembujt e tyre, se Franca e ka pranuar pavarësinë e Algjerisë dhe Gjermania ka pranuar fajesinë nga lufta me Francën. Këto janë shembuj botërorë që kanë sjellur paqe”, ka shkruar Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi edhe të dielën takimet në Munih, ku për dy ditë mori pjesë në Konferencën e Sigurisë. U takua me të dërguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me kryeministren lituane Ingrida Simonyte, senatorë amerikanë, deputetë të Bundestagut gjerman, si dhe me përfaqësues të EUROPOL-it e të INTERPOLIT.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *