Kreu i PD, Sali Berisha ka përkujtuar 32-vjetorin e përmbysjes së shtatores së ish diktatorit Enver Hoxha.
Me anë të një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se studentët u dërdhën në Tiranë drejt sheshit Skënderbej duke përmbysur shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në izolim dhe varfëri.
Më tej ai shtoi se kjo ishte data në të cilën, guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Ai theksoi se pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist,
“Diktatorin Enver Hoxha, në konventën e Partive të Qendrës së Djathtë në Europë, në deklaratën e tyre në Paris në prill të vitit 1991, do ta quanin Hitleri shqiptar i pasluftës. Europa kishte njohur shumë diktatorë komunistë dhe jokomunistë, por ai që ngjiste si vëlla siamez me Adolf Hitlerin, ishte Enver Hoxha. Me qëndrimin e tij ndaj opozitës, mendimit ndryshe, lirisë dhe të drejtave njerëzore, pronës, besimit fetar, interesit kombëtar, ai paraqitet si figura më e zezë, më negative, më e urryer e kombit shqiptar në tërë historinë e tij. 32 vite më parë, kulti i Enver Hoxhës ishte omnipotent dhe omniprezent në këtë vend.
Studentët e universiteteve të Tiranës, në një vendim epik, të organizuar nga PD dhe shoqata e tyre, nisën më 17 shkurt të vitit 1991, grevën e urisë, më masivja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, ndër më masivet në historinë e grevave të vetëflijimit në Europë dhe botë. Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, të thirrur nga PD dhe sindikatat, vërshuan nga të katër anët dhe mbushën si kurrë ndonjëherë, Qytetin Studenti në çdo rrugë e shesh të tij. Nga ky qytet, të ftuar nga artistja e mirënjohur Rajmonda Bulku, nën thirrjet: Te sheshi, te sheshi, masa qindmijëshe, më shumë, u derdh drejt qytetit të Tiranës dhe sheshit Skënderbej.
Përmbysi në ora 2 e 24 minuta, shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në shtypjen, izolimin, varfërinë më të thellë. Kjo datë ishte data në të cilën, PD-ja u shndërrua në parti të vërtetë opozitare. Kjo datë, ishte data në të cilën, guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Kjo datë, ngjarje kulmore e revolucionit të vitit 1991, bëri të mundur triumfin e këtij revolucioni. Pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist, nuk do kishte votë të lirë”, tha Berisha.