Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Rusia po përpiqet ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë. Nga Gjermania, në një intervistë për ‘SkyNews’, ajo foli për përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar rajonin. Sipas Osmanit, Rusia dhe përfaqësuesit e saj duhet të përballen me një përgjigje të unifikuar për të penguar provokimet e mëtejshme.
“Ata sjellin forca paraushtarake që janë të veshura me civilë brenda territorit tonë përmes rrugëve ilegale, pastaj dërgojnë armë dhe uniforma jeshile pa shenja që të mos duket si sulm tradicional ushtarak. Por, në fakt, ata përgatitin shumë sulme hibride, që është një përzierje e asaj që bëjnë këto forca paraushtarake në veri të Kosovës”, tha Osmani.
Osmani akuzoi presidentin e Rusisë Vladimir Putin, se konfliktin po kërkon ta zhvendosë në Kosovë dhe vendet e tjera si Moldavia dhe Gjeorgjia, si një mënyrë për të larguar Evropën nga lufta në Ukrainë. Ajo tha se përpjekjet për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor do të ndikonin në të gjithë Evropën dhe u kërkoi udhëheqësve perëndimorë të mos i injoronin paralajmërimet e saj.